Nasradin Hoxha (1208 – 1284) është një nga personalitetet e rralla historike që zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe folklorin turk. Ai ishte një njeri i urtë popullor, i cili falë zgjuarsisë dhe mendjemprehtësisë së tij u bë një nga figurat kryesore të satirës turke. Nasradini ndoqi mësimet tek njerëzit më të ditur të asaj kohe. Sipas disa gojëdhënave, Nasradini për një kohë ishte ligjërues në medrese dhe kreu funksionin e kadiut .
Vlera e anekdotave të Nasradin Hoxhës shquhet për mprehtësinë e mendimit, kritikën dhe thumbimin me të cilin ai vetë i rrëfente anekdotat, apo që populli ia atribuon se i ka rrëfyer ai. Rrëfimet e tij tallëse dhe satirike për shumë shekuj janë rrëfyer dhe rrëfehen edhe sot nga turqit kudo që jetojnë. Nga analiza e të bëmave për të cilat thuhet se i ka përjetuar ai dhe nga interpretimi i fjalëve që përdoren në këto ndodhi, mund të nxirret përfundimi se ato nuk pasqyrojnë vetëm një periudhë të caktuar historike, por që në fakt, në të njëjtën kohë pasqyrojnë edhe jetën në përgjithësi të popullit të Anadollisë, sepse në to mund të gjejmë edhe mënyrat e argëtimit, lavdërimit dhe talljeve. Në anekdotat e tij gjejmë një ligjëratë shumë subtile, ironike dhe të hollë.
Nasradin Hoxha është bartës i shumë tipareve kundërthënëse, siç janë zgjuarsia dhe marrëzia, shkathtësia dhe ngathtësia, pranimi dhe refuzimi. Të dhënat për jetën e tij janë të përshkuara nga mendime subjektive dhe gojëdhëna të cilat rrjedhin nga dashuria e madhe që populli ushqente ndaj tij. Ai u bë subjekt i shumë ligjëratave dhe shkrimeve.
Gomari zë një vend të pazëvendësueshëm në anekdotat e Nasradin Hoxhës dhe personazhi i tij as që mund të paramendohet pa praninë e gomarit. Përmes personazhit të gomarit ai shprehte ndjeshmërinë e tij për vuajtjet e popullit. Gomari, i cili ishte pjesë e pandashme e jetës së tij dhe që ia bënte jetën më të lehtë, në realitet është një objekt i përqeshjes dhe talljes. Është interesante se në anekdotat dhe historitë që i rrëfejnë anadollakët, kali pothuajse as që përmendet ndonjëherë. Gomari kësisoj bëhet simboli më i përhapur i rezistencës ndaj dhimbjes, vështirësive, rrahjes dhe urisë, dhe si i tillë u bë një element i anekdotave të Nasradin Hoxhës.